“Tuchel ka firmosur për PSG-ën”, kështu raportojnë në Francë nga Canal-Plus. Sipas këtij raportimi angazhimi i trajnerit gjerman do të zyrtarizohet pas finales së Kupës së Francës më 8 maj. Trajneri i ardhshëm i kampionëve të Ligue1 do të jetë një gjerman. Në fakt spekulohej prej kohësh, por tanimë Canal Plus e raporton për të sigurt. 44-vjecari, i papunë që prej 30 majit të vitit të kaluar, thuhet se do të ketë fuqi të plotë në merkato dhe në ristrukturimin e skuadrës. Në Paris nis kështu numërimi së prapthi për epokën Emery që me kryeqytetasit do të mbahet mend për dy dështime aspak të përtypshme në Evropë, me Barcelonën dhe Realin e Madridit, dy skuadra të cilat në karrierë i ka ndeshur më shumë se kushdo tjetër që e ka drejtuar PSG-ën.
Nga ana tjetër, Tuchel, pas përvojave me Augsburgun dhe Mainzin shijoi një sukses të konsiderueshëm me Dortmundin ndërsa u cilësua si Jurgen Kloppi i ri. Një Kupë Gjermanie është trashëgimia e tij për verdhezinjtë, të cilët e shkarkuan pas një sezoni të vështirë ku asnjë nga lojtarët kryesor nuk raportohej më të kishte vullnet për të qëndruar. Kështu nëse gjithcka rezulton e vërtetë, pas 1 viti pushim, Tuchel do ta rinisë me një sfidë të fortë, me gjasa më të madhen në karrierë. Të rindërtojë një skuadër që në Francë i fiton të gjitha dhe ta bëjë atë të aftë për të qenë e suksesshme në Evropë.