Francë, Sulmuesi i talentuar i Lille krahasohet me Didier Drogba

Sport

Victor Osimhen ka qenë një nga lojtarët më të dalluar tek Lille gjatë këtij sezoni. Sulmuesi nigerian ka impresionuar me paraqitjet e tij, teksa në 38 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet, ka realizuar 18 gola e ka shërbyer 6 asiste. Këto performanca të talentit 21-vjeçar nuk kanë kaluar pa u vënë re dhe në Francë, të shumtë janë ata që kanë filluar ta krahasojnë me Didier Drogba. Ky krahasim vjen për shkak të ngjashmërisë që kanë në stilin e lojës, Osimhen dhe Drogba, në kohën kur ky i fundit luante për Marseille në ‘Ligue 1’. Këtë mendon edhe portieri veteran i Charleroi, Nicolas Penneteau, i cili deri sezonin e shkuar, ishte shok skuadre me talentin nigerian. Sipas tij, Osimhen i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një nga sulmuesit më të mirë në Europë dhe ngjashmëria që ai ka me lojën e Drogba nuk është më një sekret. Për Osimhen së fundmi kanë shfaqur interes disa skuadra të mëdha, por Penneteau thotë se nuk është aspak i surprizuar me këtë fakt. Ai zbuloi se talenti i Osimhen tek Charleroi ra në sy që në ditët e para të nigerianit në skuadër, teksa shfaqte edhe një përkushtim të theksuar në stërvitje. Për Penneteau, fakti që ëshë aq i kompletuar si sulmues në të gjitha aspektet, mund ta ndihmojë Osimhen të ngjitet shumë shpejt në karrierën e tij, ndonëse duhet të mos nxitojë me zgjedhjet që do të bëjë. Victor Osimhen luajti si i huazuar tek skuadra e Charleroi gjatë sezonit 2018-2019. Në verën e 2019-ës, klubi belg ushtroi të drejtën e blerjes së kartonit të tij nga Wolfsburg për 3,5 milinë euro, por vetëm 2 muaj më pas, ai u shit tek skuadra e Lille për plot 12 milionë euro.