Francë, PSG gati të zyrtarizojë Buffonin të hënën

Sport

buffon

Karriera jashtë Italisë e 40-vjecarit Gianluigi Buffon pritet të nisë të hënën e ardhshme. Ky ka qenë raportimi i së premtes nga shtypi francez që e bën më se të sigurt angazhimin e italianit nga PSG. Shtatlarti kampion bote me Italinë, por kurrë kampion Evrope si me përfaqësuesen po ashtu edhe në rang klubesh, është pranë konkretizimit të mundësisë për ta vazhduar më tej karrierën. L’Equipe raportoi se që prej 1 korrikut, Buffon është lojtar i pa-angazhuar dhe si i tillë është i lirë të nënshkruajë me cilindo-klub që shfaq interes për të. Në rastin konkret thuhet se PSG e ka seriozisht dhe e ka ftaur atë që të kryejë vizitat mjekësore dhe të nënshkrojë një kontratë dy-vjecare me të drejtë ripërtëritjeje edhe për një vit tjetër.

buffon2

Pra me gjasa Buffon mund të luajë deri në 43-vjeç. Për italianin sezoni i fundit në Torino ishte dërrmues. Pas eliminimit të Italisë në fazën “Play-Off” të botërorit, u shoqërua me një tjetër eliminim po aq me mllef nga Champions League-a, ku Buffon u bë protagonist me të parin karton të kuq në këtë eveniment. Shumëkush e konsideroi këtë si episodin e fundit të Buffonit në nivele të larta, por ja që PSG do t’i japë atij mundësinë që ta provojë sërish e ta fitojë atë trofe aq të lakmuar prej tij, Championsin. Me më shumë se 870 ndeshje si profesionist, italiani pritet t’i sjellë përvojën e munguar kampionëve të Francës.