Kylian Mbappe festoi të mërkurën datëlindjen e 19-të duke kontribuuar në një tjetër rezultat fantastik të PSG në Ligue1. Skuadra e Unai Emery kërkon ta mbyllë vitin sa më mirë dhe me një distancë sa më të madhe me ndjekësit dhe pikërisht këtë gjë mundësoi magjia e Mbappes që prej minutës së parë. Në përballjen me Caenin, talenti francez kreu një veprim teknik dhe atletik nga e djathta duke i mundësuar Edinson Cavanit një gol të mrekullueshëm në minutën e 21-të. Shtatlarti realizoi duke shkelmuar me thembër. Ai shkoi kështu në kuotën e 19 realizimeve ndërsa në total ka tashmë 155 gola, 1 më pak se rekordmeni i PSG Zlatan Ibrahimovic. Por festa nuk mund të plotësohej pa një gol të vetë Mbappes. Me kokën e ngjyer në të verdhë ai realizoi në pjesën e dytë me një goditje me të majtën dhe ndau festën me Cavanin. Deri më tani, Mbappe ka realizuar 12 gola dhe 10 asiste në 22 ndeshje. 10 minuta nga fundi Neymar asistoi Berchichen i cili i coi shifrat në 3-0. Për miqt pati mundësinë e një goli nderi Santini, që realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Pas 19 javësh, PSG kryeson kampionatin me 50 pikë, 9 më shumë se Monaco dhe Lyon, që mbeten prapa pavarësisht ritmit pozitiv që kanë njohur në ndeshjet e fundit. Me të tilla rezultate, nga bordi drejtues është deklaruar plotësisht mbështetje për Unai Emery, megjithëse ky i fundit nuk ka njohur ende asgjë të re për sa i përket kontratës, që përmbyllet në fund të këtij sezoni.