Francë, Paris SG, Neymar mund të largohet në fund të sezonit

Sport

Edhe pse ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2025, Neymar mund të largohet nga Paris SG në fund të këtij sezoni. Mediat franceze dhe ato britanike kanë shtuar spekulimet për një largim të mundshmë të sulmuesit brazilian nga kampionët në fuqi të Francës, i cili duket se nuk i kënaq më drejtuesit e klubit. Autor i 18 golave dhe 17 asistimeve në këtë sezon në të gjitha kompeticionet, Neymar nuk ia ka dalë mbanë të luajë rolin e pritur për skuadrën e trajnerin Galtier në ‘Champions League’ dhe tashmë drejtuesit mund të heqin dorë prej tij, duke marrë në konsideratë edhe pagën e lartë të lojtarit. Edhe pse duket e vështirë që tek Paris SG të heqin dorë njëkohësisht nga Neymar e Messi, me këtë të fundit që lidhet me një rikthim tek Barcelona, për brazilianin shihet më e lehtë për të gjetur një skuadër tjetër, duke u nisur nga mosha dhe paga e tij. Kontrata aktuale e 31-vjeçarit me skuadrën e Paris SG skadon në qershonin e 2025-ës dhe për kartonin e tij, drejtuesit francezë kërkojnë të paktën 70 milionë euro. Chelsea dhe Manchester United mbeten alternativat më të mundshme për Neymar, pasi të dyja klubet angleze janë të gatshme të plotësojnë kërkesat e lojtarit sa i përket një kontrate afatgjatë, me një pagë të konsiderueshme, si dhe çmimin e vendosur nga ana e Paris SG. Chelsea madje është gati të përfshijë në marrëveshje edhe disa lojtarë që nuk janë në planet e klubit, por kjo do të vendoset vetëm pasi trajenri i ri të ketë nisur punën gjatë verës.