PSG mbetet e tashmja dhe e ardhmja e Neymarit, ky të paktën ka qenë sinjali i përcjellë nga i ati, fillë pasi nënkampionët e Francës fituan 2-0 ndaj Troyesit. Pa asnjë humbje këtë sezon, skuadra e Unai Emery ka shkëlqyer duke shkatërruar të gjithë rivalët në kampionat dhe jo vetëm. Në Ligue 1 ata janë tashmë 10 pikë distancë nga Marseille i vendit të dytë, ndërsa në Champions League mbeten skuadra për t’u mundur. Në sfidën e mesjavës, Edinson Cavani humbi një penallti, por PSG arriti të fitojë 2-0 falë formës fantastike të Neymarit. Braziljani shënoi golin që zhbllokoi rezultatin e më pas asistoi uruguaianin ky i fundit shkoi në rrjetë për herë të 17-të në Ligue 1. Por vëmendja e shtypit francez duhet thënë se nuk ka qenë te rezultati i ndeshjes. Më shumë te spekulimet rreth një mundësie që Neymar të transferohet te Reali i Madridit. Spekulimet e shumta përfshinë javën e kaluar, edhe pse vetë braziliani, pas fitores 7-1 ndaj Celtic-ut tha se këto ishin “budallëlliqe”. Vetë i ati i 25-vjecarit, i cili është njëherësh edhe agjenti i tij, ka folur në një intervistë për Fox Sports. Neymar Santos është shprehur se “për këto 5 vite nuk mundë të flasë për bisedime me skuadrat e tjera, pasi Neymari ka një kontratë me PSG” këtu ai ka nënkuptuar se talenti brazilian nuk do të lëvizë nga Parisi. Neymar u transferua për 222 milionë euro dhe në 16 ndeshje me PSG ka shënuar 15 gola dhe 11 asiste.