Francë, Mbappe refuzon ofertën e Al Hilal; gati të qëndrojë një vit në stol

Sport

Kylian Mbappe nuk tundohet nga milionat e Arabisë Saudite. Sulmuesi francez i ka thënë ‘jo’ propozimit të ardhur nga skuadra e Al Hilal, ose të paktën kështu pretendojnë mediat spanjolle, që po ashtu raportojnë se lojtari është gati të qëndrojë një vit në stol, nëse drejtuesit e Paris SG do ta detyrojnë për diçka të tillë. Klubi francez e pranoi ofertën prej më shumë se 300 milionë eurosh për kartonin e Mbappe, propozim i ardhur në rrugë zyrtare nga Al Hilal. Mirëpo klubi saudit nuk e ka bindur Mbappe të transferohet, pavarësisht kontratës faraonike të vënë në dispozicion të sulmuesit. 24-vjeçarit i është vendosur në tavolinë një kontratë 2-vjeçare, nga ku do të përfitonte në total plot 400 milionë euro, vetëm me anë të pagës, ndërkohë që klubi i Al Hilal i kishte vënë në dispozicion edhe marrëveshje mjaft fitimprurëse sponsorizimesh, por që gjithësesi nuk kanë mjaftuar ta bëjnë Mbappe pjesë të ‘trendit’ që ka pushtuar tregun e lojtarëve gjatë kësaj vere. Ky refuzim që sulmuesi i ka bërë Al Hilal, nuk është pritur aspak mirë nga ana e drejtuesve të Paris SG, që kanë biseduar me përfaqësuesit e lojtarit për t’i përsëritur faktin se ai nuk do të jetë pjesë e planeve të skuadrës për sezonin e ri. Mbappe nga ana tjetër është i vetdijshëm për këtë gjë dhe thuhet se u ka komunikuar të afërmve të tij që është i gatshëm të qëndrojë në stol apo edhe në tribunë, teksa dëshira e tij mbetet transferimi tek Real Madrid. Kjo është një situatë aspak e lehtë për t’u zgjidhur nga ana e drejtuesve të Paris SG, që edhe pse kanë refuzuar propozimet e bëra nga Madridi për Mbappe, mund të jenë të detyruar të pranojë ofertën spanjolle, nëse një e tillë do të vijë zyrtarisht. Kujtojmë që kontrata e sulmuesit me kampionët e Francës skadon në qershorin e 2024-ës dhe tek klubi parizien besojnë se Mbappe e ka një akord paraprak me Realin, për t’u bashkuar me ekipin e ‘los blancos’ sapo t’i përfundojë kontrata.