Francë, Le Parisien përgënjeshtron zërat, Allegri nuk ka pasur kontakte me PSG-ën

Sport

mas allegri
Asnjë kontakt nuk ka pasur mes klubit të PSG dhe trajnerit italian të Juventusit Massimiliano Allegri. Një burim pranë 50-vjeçarit nga Livorno ka mohuar kategorikisht çdo spekulim të ngritur nga mediat ditët e fundit. Në Paris periudha e Unai Emery-së konsiderohet e kaluar tashmë dhe të gjitha mediat janë përqendruar për të pikasur zëvendësuesin e spanjollit. “Nuk kemi pasur kontakte me PSG” citoheshin burime pranë italianit nga gazeta Le Parisien të mërkurën, “Massimiliano ka kontratë afatgjate me Juventusin dhe përveç kësaj për të janë të interesuar edhe klube të tjera” – vazhdonte më tej i njëjti burim.

unai

 

Në Torino që prej vitit 2014-të, Allegri ka zhvilluar një filozofi dhe stil krejt unik të lojës, çka e ka çuar atë drejt 7 trofeve në Itali dhe dy finaleve të Champions League-ës në Evropë. Pikërisht në këtë kompeticion vazhdon të jetë në garë edhe këtë vit ku përballë ka Realin e Madridit. Në Serie-A bardhezinjtë janë kthyer në krye dhe me shumë gjasa sipas Le Parisien, Allegri mund të vendosë të qëndrojë sërish te Juventusi, pavarësisht spekulimeve. 50-vjecari ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2020 dhe momentalisht me Juven ka një statistikë prej 2.29 pikësh për ndeshje. Përveç PSG, shtypi ka rreshtuar si alternativa Realin e Madridit, Chelsea-in dhe kombëtaren e Italisë.