Zinedine Zidane e di mirë se nuk mund të jetë trajner i Realit të Madridit për një kohë të gjatë. Vetë 45-vjecari e ka rrëfyer këtë gjë në një intervistë për France Football. I shpallur trajneri më i mirë i vitit nga kjo revistë prestigjioze, Zizou rrëfen se nuk e ka konsideruar kurrë të ardhmen të sigurt. “Absolutisht s’është e vërtetë që më mbron fakti se ç’kam dhënë dikur si lojtar për Realin. E di se një ditë përvojës sime këtu do t’i vijë fundi. Vetes i them se nëse kam dhe 10 ditë, gjashtëmuaj, apo sado kohë të jetë, do ta jetoj në maksimum” – lexohet të ketë thënë trajneri i Los Blancos i shpallur trajneri i vitit nga FIFA dhe 4 herë kampion i Champions-League-ës, 1 herë si lojtar dhe 3 herë si trajner, që të gjitha me Realin. Zizou i drejton kampionët e Spanjës që prej janarit të vitit 2016-të, kontrata e tij është e vlefshme deri në qershor dhe ende nuk është folur për një ripërtëritje, megjithëse herë pas here Florentino Perez ka shprehur publikisht mbështetjen për të. Aktualisht gjërat nuk janë mirë për madrilenët, të cilët ndodhen në vendin e katërt në La Liga, 16 pikë larg Barcelonës. Humbja me katalanasit në dhjetor ishte tejet zhgënjyese ndërsa në muajin shkurt Reali përballet me PSG në Champions. Në intervistën për France Football, Zizou thekson se dëshira më e madhe është që të tregojë zotësitë e tij si trajner pikërisht në momente të vështira, por se sa do t’ia arrijë kësaj, mbetet për t’u parë, ndërsa shtypi spanjoll thotë se ai ka kohë dy muaj.