Tjetër debat dhe të tjera kontestime për Neymarin hapen në Francë. Christophe Dugarry ka kritikuar brazilianin për faktin se nuk ishte prezent në festën e titullit kampion të PSG-ës. Pas suksesit 7-1 ndaj Monacos PSG arkivoi titullin dhe festa zuri fillë për skuadrën kryeqytetase, por lojtari kryesor i skuadrës nuk ishte atje. 25-vjecari, i cili po riaftësohet nga një lëndim në kavilje, injoroi grupin duke mos lëvizur nga Brazili. Në fakt në momentin e festës, ai kishte postuar në instagramin e tij pamje të një loje “poker”-i.
“Si mundet Neymari të mos jetë atje me skuadrën ndërsa festohet titulli kampion? Nëse ai do të kishte qenë te Barcelona, as që do e kishte guxuar ta bënte një gjë të tillë” – komentoi Dugarry për emisionin RMC Sport. Ish-sulmuesi i kombëtares franceze shtoi më tej se fakti që klubi i PSG e pranon një sjellje të tillë kaq arrogante është zhgënjyese. Sipas 46-vjecarit braziliani po ndahet nga skuadra dhe se pikërisht një qasje e tillë kaq e ndarë në grup është arsyeja se pse PSG po dështon në Champions League. “Nuk iduroj dot këta lojtarë që mendojnë vetëm për veten, sepse në futboll është grupi që fiton, ky sport është kolektiv dhe jo individual” – theksoi më tej ish-futbollisti francez në kritikat e tij ndaj Neymarit, që për t’u transferuar në Paris kushtoi plot 222 milionë euro.