Paul Pogba nuk mund të jetë i lumtur te Manchester United, kështu thotë trajneri i Francës, Didier Deschamps. 25-vjeçari nuk ka shfaqur asgjë këtë sezon në Old Trafford dhe shpesh është raportuar në shtyp se ka një marrëdhënie të trazuar me trajnerin Jose Mourinho. Sidoqoftë Deschamps e ka grumbulluar atë për ndeshjet miqësore me Kolumbinë dhe Rusinë. “Jam i sigurt se për Polin do të dëgjoj më tepër, por për situatën që ka medoemos që nuk është i gëzuar” – tha trajneri francez përballë pyetjeve që kishin të bënin me Pogbanë.
Shpesh i lënduar dhe në raste të tjera i pezulluar, Pogba ka munguar në disa sfida të rëndësishme me United-in, një e tillë ishte për shembull përballja me Liverpoolin. “Nuk e di arsyen e kësaj gjendjeje, por mund të jenë shumë gjëra që mblidhen bashkë” – analizoi Deschamps teksa theksoi se situata të ngjashme ka edhe me lojtarët e tjerë të grumbulluar me Francën. Pogba vazhdon të tërheqë vëmendjen për faktin se në vitin 2016-të u rikthye te United për shifrat e 105 milionë eurove. Këtë sezon ka luajtur 27 ndeshje, pjesa më e madhe jo me 90 minuta të plota duke bërë që periudha që ai kishte te Juventusi të duket shumë e largët. Deklarata e Deschamps vjen në një moment ku në Angli u spekulua gjatë se francezi mund edhe të largohej nga United, raportime këto që natyrisht nga Mourinho u cilësuan si gënjeshtra.