Kur Manchester United e transferonte nga PSV në verën e viti 2015, Memphis Depay pritej të ishte një lider në formacionin e ‘djajve të kuq’. Por aventura e holandezit asnjëherë nuk shkoi ashtu siç pritej në ‘Old Trafford’, dhe në një intervistë të gjatë për ‘Daily Mail’, Depay ka rrëfyer edhe njëherë sa të vështirë e kishte të përshtatej me lojën që kërkonte trajneri. 25-vjeçari zbuloi gjithashtu teknikun e United në atë kohë, Louis van Gaal, si fajtorin e performancave të tij të dobëta. Sipas Depay-t, kur luante tek PSV apo tek kombëtarja holandeze, ai kishte lirinë për të kërkuar hapësira sulmuese dhe për të depërtuar përpara sa më shpejt të ishte e mundur, ndërsa tek Manchester United atij nuk i lejohej diçka e tillë. Kjo për shkak se i duhet të ndiqte me përpikmëri kërkesat e trajnerit Van Gaal, i cili nuk e toleronte dot të shihte një lojtar që vepronte sipas instiktit në një situatë të caktuar.
“Nuk mund të jepja më të mirën time. Nuk e kuptoja: më blenë për cilësitë specifike që panë të shfaqja te PSV dhe kombëtarja e Holandës. Më pas, më vendos të luaj në një rol, të cilin nuk mundem ta bëj.”
Ndërsa sa i përket spekulimeve se për Depay-n interesohen disa skuadra në Angli, holandezi tha se ka patur disa kontakte drejt agjentit të tij por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Lojtari i Lyon refuzoi të zbulonte emrat e skuadrave të interesuara për të duke thënë se për këto çështje përgjigjet përfaqësuesi i tij.