Franca në finale të Botërorit, rekord në 7 edicionet e fundit

Sport

Franca kualifikohet në finalen e madhe të Botërorit, pas fitores 2-0 ndaj Marokut në gjysmëfinale. Sfida u zhbllokua që në minutën e 5-të me anë të Theo Hernandez, duke krijuar idenë se për të besuarit e Didier Deschamps do të vërshonte një goleadë. Megjithatë, loja pati tjetër rrjedhë.

Maroku nuk u dorëzua, por nisi të tregonte se mbërritja deri në gjysmëfinale nuk ishte rastësi. Afrikanët u shfaqën në disa raste të rrezikshëm në portën e francEzëve, mirëpo nuk arritën që ta dërgonin dot topin në rrjetë.

“Gjelat” arritën të izolonin mjaft mirë sulmuesin e Marokut, atë që eliminoi Portugalinë Youssef En-Nesyri, i cili gjatë gjithë ndeshjes e preku topin vetëm 3 herë. Nuk ndodhte që prej 1966-tës që një lojtar me një prezencë me më tepër prej 45 minutash në një sfidë, të ketë aq pak herë kontakt me topin.

Më tej, duhet të vinte vetëm minuta e 79-të e sfidës, që Franca të dyfishonte rezultatin, në atë që mund të konsiderohet edhe si goli i sigurisë për kampionët në fuqi të botës. Kur kishte vetëm 60 sekonda që ishte aktivizuar, Kolo Muani e pati shumë të thjeshtë për të realizuar.

Kjo është finalja e 4 e Francës në 7 edicionet e fundit të Kupës së Botës. Një gjë e tillë ka ndodhur në vitin 1998, 2006, 2018 dhe 2022. Kjo statistikë është dyfish më shumë sesa çdo përfaqësuese tjetër përgjatë kësaj kohe.

Finalja e madhe, Argjentinë-Francë, do luhet të dielën në orën 16:00.