Franca konfirmon trajnerin Didier Deschamps

Sport

Franca konfirmon trajnerin Didier Deschamps. Pas eliminimit nga Europianit, në gjysmëfinale ndaj Spanjës, në opinionin e përgjithshëm u mendua se epoka e Deschamps kishte ardhur në fund. Megjithatë, nuk ka ndodhur kështu. Në më pak se 24 orë nga eliminimi, Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo ka konfirmuar se Deschamps do të vazhdojë punën në krye të përfaqësueses, të paktën deri në vitin 2026-të.

“Nuk ka asnjë arsye që të diskutohet e ardhmja e Deschamps. Rezultatet e kaluara flasin në favor të tij. Janë arritur të gjitha objektivat. Në vijim do të diskutojmë me qetësi për të kuptuar më mirë se çfarë nuk shkoi në gjysmëfinale. Përgjatë këtij muaji unë kam parë shumë profesionalizëm në ekipin kombëtar, kështu që të gjithë duhet të shkojmë në këtë drejtim”, kanë qenë disa prej fjalëve të presidentit Diallo.

Rrugëtimi i Deschamps me Francën ka nisur në 2012-tën, çka e bën 55 vjeçarin një nga trajnerët më jetëgjatë nën drejtimin e një përfaqësueseje. Pika kulmore e kësaj epoke, ndodhi në 2018-tën, kur në Rusi, Franca fitoi Kupën e Botës.