Franca i falet Mbappes për t’u kualifikuar, talenti i PSG-ës shkruan histori

Sport

mbappe

Një gol i talentit Kylian Mbappe i mjaftoi Francës për të siguruar fitoren dhe për të garantuar kualifikimin nga Grupi C. Për skuadrën e Didier Deschamps gjërat nuk ishin dhe aq pozitive pasi zotërimi i topit në pjesën e parë i takoi peruanëve. Këta të fundit vinin pas humbjes 1-0 me Danimarkën dhe luanin për gjithçka. Loja e tyre gjithsesi u zbeh pas vetëm 30 minutash, kur Franca u shfaq më kompakte në fushë. Pikërisht në këto rrethana, Mbappe realizoi pas një goditje të devijuar të Olivier Giroud. Pas këtij goli, pjesa e dytë pa më tepër lojë nga ana e Perusë, e cila doli vazhdimisht në sulm dhe e zotëroi topin në më tepër se 60 përqind të kohës. Franca nuk qëlloi asnjëherë më portën e peruanëve, ndërsa amerikanolatinët nuk i shfrytëzuan dot 6 rastet që krijuan.

franc

U mbyll 1-0 dhe Franca ka tashmë pikë të plota në Grupin C. Por vlen të theksohet momenti fantastik i sulmuesit të PSG-ës, Mbappe. Ai u bë lojtari më i ri në moshë që shënon për “Les Blues”, vetëm 19 vjec e 183 ditë. I pari që shënon në botëror, i lindur pas vitit 1998, pra që s’e ka parë me sytë e tij Francën kampione bote. Interesante është se në 9 sfidat e fundit me Francën, Mbappe është përfshirë në aksion në 8 gola të realizuar. Ndërkohë shtypi francez ka theksuar faktin se përfaqësuesja e tyre nuk pëson gol nga një skuadër amerikanolatine që prej vitit 1986, asokohe në çerek-finale, Franca ia dilte të eliminonte Brazilin me penallti pasi koha e rregullt qe ndalur 1-1.