Afrohet përballja e shumëpritur e kampionëve të botës, Francës me Kombëtaren shqiptare të Edi Rejas, me rastin e eleminatoreve të Euro 2020. Mirëpo, francezët vazhdojnë të humbasin yjet e skuadrës, të cilët janë dëmtuar në prag të kësaj ndeshjejeje kualifikuese që do të luhet të shtunën. Jo më pak por Paul Pogba është mungesa e rradhës për skuadrën e drejtuar nga Deschamps. Raportohet se lojtari francez është dëmtuar në gju, gjatë ndeshjes që Mnachester United luajti fundjavën e kaluar në fushën e Southampton, ku Djajtë e Kuq barazuan 1-1. Duke parë se lojtari ka vijuar të ndjejë shqetësime edhe në ditët e fundit, Mjeku i Kombëtares franceze ka vendosur që të mos e rrezikojnë për ndeshjet e radhës me Shqipërinë dhe Andorën.
Gjithsesi, i gjendur në situtatën ku duhet të bëjë pa një nga elementët kryesorë të mesfushës, tekniku Didier Deschamps, ka thirrur lojtarin e talentuar 20-vjecar të Arsenalit, Matteo Guendouzi, i cili bën pjesë për herë të parë mes lojtarëve të Kombëtares së madhe, përderisa deri tani ka luajtur me përfaqësuesen U-21.
Pogba i shtohet një liste jo të vogël mungesash për Francën, përpara sfidës kundër Shqipërisë. Konkretisht, lojtarët e tjerë që do të mungojnë në ndeshjen e të shtunës ndaj Shqipërisë janë, Kylian Mbappe, Ousmane Dembele dhe Aymeric Laporte, të gjithë të dëmtuar pas ndeshjeve të fundit të kampionatit me klubet respektive.