Ashtu si vitin e kaluar Neymar duket se do ta mbyllë sezonin me PSG parakohe. Shtypi francez raportoi të martën se 26-vjecari mund t’i nënshtrohet sërish një operacioni në këmbë çka do ta detyrojë të qëndrojë larg fushe deri në fund të sezonit të rregullt për klube duke munguar në përballjet e Champions League-ës dhe po kështu edhe në kompeticionet e tjera si Ligue 1 apo Kupa e Francës. Por ndryshe nga raportimet e shkuara, për Neymar thuhet se sërish synimi i tij është kontributi për kombëtaren. Vitin që shkoi sulmuesi i PSG pësoi një frakturë të gishtit të pestë të këmbës së djathtë. Për faktin se ky lëndim i ndodhi katër muaj përpara botërorit Rusi 2018-të, 26-vjecari vendosi që t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në mënyrë që të përshpejtonte fazat e riaftësimit dhe që kështu të ishte gati për Brazilin në Kupën e Botës.
Një vit më vonë, dhe situatat janë të ngjashme. Neymar pësoi një lëndim po në këmbën e djathtë kur u shkelmua tre herë në mesfushë gjatë ndeshjes kundër Starsburgut. Sipas gazetës Le Parisien, ekzaminimet kanë pikasur një frakturë në të njëjtin vend sikurse dhe vitin e kaluar, çka e ka vënë sërish 26-vjecarin në të njëjtat pozita. Operimi duket i pashmangshëm pasi përpara Neymari ka gjithashtu angazhime me Brazilin, angazhim si Kupa e Amerikës, të cilën ai nuk do që të mos e diskutojë. Kështu me së paku 80-85 ditë riaftësim, braziliani mund të jetë gati për 12 qershor, datë ku starton zyrtarisht dhe Kupa e Amerikës, që këtë vit organizohet pikërisht në Brazil.