Liverpool nuk arriti më shumë se një barazim pa gola në ‘Anfield’ përballë rivalëve për titullin kampion, Manchester City. Një rezultat i kënaqshëm për ‘the reds’, duke qenë se miqtë humbën një penallti në fund të takimit, pas goditjes së gabuar të Riyad Mahrez.
Tek formacioni i Klopp, problemi ishte mëse i dukshëm. Shumë muskuj e shpejtësi, por aspak fantazi e kreativitet. Analistë të shumtë dhe ish-lojtarë të Liverpool nuk kanë vonuar të vënë në dukje mungesën e një ‘Silva’ në formacion, duke vënë theksin tek David Silva dhe Bernardo Silva të Manchester City, që i jepnin një nivel tjetër mesfushës së ‘citizens’.
Jordan Henderson ishte sërish pika kryesore e organizimit të lojës së formacionit të Klopp, por kapiteni i ‘the reds’ nuk ka aftësitë për të krijuar mjaftueshëm. Në këtë mënyrë theksi vihet mbi largimin e Coutinhos sezonin e kaluar. Mungesa e aftësive të brazilianit vërehet kollaj tek loja e Liverpool, që tashmë duhet të mendojë me kujdes lëvizjet e ardhshme të merkatos. Të ardhurit e rinj në skuadër si Naby Keita, Fabinho apo Xherdan Shaqiri nuk japin më shumë se sa muskuj e kilometra në fushë. Dështimi i transferimit të Nabil Fekir nga Lyon ka lënë pasojat e veta dhe ardhja e një numri 10 të mirëfilltë në skuadër, duket të jetë prioriteti kryesor i drejtuesve të Liverpool.