Flick: Do t’ia dalim edhe pa Gnabry e Lewa.. Pochettino: Nuk varemi nga Mbappe e Neymar

Sport

Hansi Flick (trajner i Bayern): “Eshtë një ndeshje ndryshe nga ajo e finales së vjetshme. Paris ka një skuadër të re, me trajner të ri. Për ne nuk është se ka ndryshuar shumë nga vjet. Duhet të jemi tepër të organizuar dhe t’i bëjnë menjëherë dhe sa më shpejt presion kur ata kanë topin. Sa i takon sulmit, ku do të jetë pa Levandovski e Gnabri, duhet të tregojmë pak më tepër besim e vendosmëri, në krahasim me ndeshjen kundër Lajpcigut. PSG ka një mbrojtje të fortë dhe natyrisht shumë cilësi në sulm. Neuer ishte i jashtëzakonshëm në finalen e vitit të kaluar. Nuk e di nëse kjo do ta kushtëzojë Parisim. Di të them që për skuadrën tonë është avantazh që ka një portier të tillë, me nivel botëror.

Benjamin Pavard (mbrojtës i Bayernit): “Nuk kemi folur për ndeshjen me lojtarët e Paris SG në përfaqësuesen franceze, sepse kemi menduar për ndeshjen që kishim për të luajtur. Megjithatë, e di që për ata është një farë revanshi pas finales së vitit të kaluar. Ne, gjithsesi, jemi gati për të fituar të dyja ndeshjet. Mbappe? Ai është një lojtar i klasit botëror, gjë që e ka treguar si me Francën, edhe me PSG. Kilian është miku im, por në fushë do të jetë kundërshtar. Por skuadra franceze ka shumë lojtarë të mirë, prandaj nuk duhet të fokusohemi vetëm tek ai. Mungesa e Levandovskit, i cili mbetet sulmuesi më i mirë në botë, nuk do të ndryshojë shumë. Them se kemi lojtarë që mund ta zëvendësojnë”.

Mauricio Pochettino (trajner i PSG): “Në fazën me eliminim direkt nuk pretendon asnjëherë që të dominosh kundërshtarin. Rëndësi ka rezultati. Luajmë kundër kampionëve të Evropës dhe botës. I respektojmë, por kemi besim te aftësitë tonë. Prandaj kemi ardhur për të fituar. Bajern është një skuadër shumë e organizuar, luan me një mbrojtje ‘të lartë’ dhe me lojtarë sulmues që janë të gjendje për të fituar ndeshjen…. të vetëm. Duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur dhe të kemi kujdes për të mos humbur top në zonat e rrezikshme. Njerëzit flasin shumë për Neymar e Mbappe, por të 11 lojtarët që do të hedh në fushë do të kenë besimin nga ana ime, që të bëjnë punën e duhur për të fituar. Sezonin e kaluar ishte finale. Ndërsa këtë herë është ndryshe. Nuk bëhet fjalë për hakmarrje. Eshtë thjesht një sfidë. Fundja është gjithmonë sfidë e bukur të kërkosh të mundësh një skuadër si Bajerni”.

Marquinhos (kapiten i PSG): “Jemi gjithmonë gati për këto lloj ndeshjesh ndaj një skuadre të madhe. Bajerni është në formë të shkëlqyer, e pathyer në Champions League. prandaj do të na duhet të japim maksimumin, për një rezultat të mirë. E dimë të gjithë që një ndeshje si kjo që na pret, do të vendoset nga detajet e vogla. Nuk kërkojmë hakmarrjen për finalen e sezonit të kaluar. Kontesti është krejt tjetër. Ne kemi edhe një trajner të ri. Nga atëherë na janë larguar edhe disa lojtarë. Por nëse disa nga ata që ishin të pranishëm sezonin e kaluar, duan të përdorin këtë si motivim plus, atëherë kjo mund të na shërbejë”.