Zinedine Zidane nuk tërhiqet shumë nga ideja për të drejtuar një skuadër në Premier-League, këtë gjë e thotë Alain Migliaccio, agjenti i francezit. Sipas agjentit të 46-vjecarit futbolli anglez nuk i përshtatet shumë stilit të Zidane. Që prej 31 majit Zidane është i papunë. Ai u largua nga Reali i Madridit pasi siguroi 3 Champions League-a radhazi dhe hyri në histori si trajneri i vetëm që ia ka dalë në këtë ecuri. Që pas largimit nga Los Blancos ai është përfolur se do të merrte drejtimin e shumë skuadrave, që nga përfaqësuesja franceze e deri te Manchester United. Por pas plot spekulimesh ka thënë të tijën Alain Migliaccio duke ndezur me gjasa edhe spekulime të tjera. “Zizou nuk do të shkojë në Premier League sepse futbolli atjeshëm nuk përshtatet me stilin e tij” u shpreh agjenti i 46-vjecarit për gazetën Journal de Dimanche.
Agjenti i ish-trajnerit të Realit të Madridit rrëfeu se për rastin e Manchester United-it e kishte diskutuar me Zidane-in dhe se të dy kishin dalë në përfundimin se Premier-League-a nuk i përshtatet. Por ndërkohë i pyetur rreth lidhjes së francezit me ish-skuadrën tjetër të tij, Juventusin, Migliaccio ka treguar se mundësia për të parë Zidane te Zonjës së Vjetër mund të vijë pikërisht nga e kaluara e tij në Torino. “Zizou gjithmonë tërhiqet nga projekti, por edhe nga lidhja që ai ka me skuadrat në diskutim dhe rasti i Juventusit mund të jetë një mundësi fantastike për të” ka thënë agjenti i Zizou-së. Aktualisht Juventus drejtohet nga Massimiliano Allegri që prej vitit 2014. Ai ka kontratë deri në 2020-ën dhe objektivi i këtij sezoni është pikërisht Champions League-a.