Sergio Conceicao (Trajneri i Portos)
Luajmë kundër një prej skuadrave më të forta në Europë, ndoshta kundër më të fortës. Rezultati i ndeshjes së parë nuk na jep asnjë zgjidhje tjetër veçse të hidhemi në sulm që në fillim të lojës. Por kësaj radhe do të jemi më cinikë dhe më vendimtarë në rastet dhe goditjet tona. Mbrojtja e kundërshtarëve tanë është shumë e fortë, prandaj nuk mund të pretendojmë të kemi raste të pastra të panumërta. Duhet të jemi të kujdesshëm edhe në fazën mbrojtëse pasi nëse na ndëshkojnë, atëherë për ne do të bëhet edhe më e vështirë. Mendoj se në situatën ku ndodhemi, është e nevojshme të luajmë me zgjuarsi, të mos shpenzojmë energjitë në mënyrë të padobishme dhe të mbulojmë hapësirat e Liverpool. Në ndeshjen e parë shfaqëm disa probleme në organizimin e lojës në fazën mbrojtëse dhe besoj se kësaj radhe do i kemi korrigjuar ato gabime që bëmë në Angli. Por siç e thashë do të jetë mjaft vendimtare saktësia jonë në sulm. Nuk na lejohet të shpërdorojmë si në ndeshjen e parë. Sot do të flisnim për një situatë krejt tjetër nëse të paktën një prej rasteve që patëm ta kishim kthyer në gol. Të bësh historinë në këtë fazë të këtij kompeticioni është një motivim i mjaftueshëm për shtuar besimin tek lojtarët tanë.
Hector Herrera (Mesfushor i Portos)
Ata kanë një avantazh të konsiderueshëm në rezultat por unë besoj në aftësitë dhe vlerat e skuadrës sonë. Jam vërtet plot besim kur them se i kemi të gjitha mundësitë për t’u hapur probleme, pavarësisht cilësive që kanë në të dyja fazat. Nuk ka të bëjë me dëshirën për hakmarrje nga sezoni i kaluar. E thamë edhe përpara ndeshjes së parë që nuk na intereson ajo çfarë ka ndodhur në të shkuarën. Sot kemi një dëshirë të madhe për të bërë mirë dhe për të vazhduar rrugëtimin tonë në Champions League.