Fitore spektakolare e Interit në derbi, rivalët e Milanos përgatiten për Champions League

Sport

Pas fitores spektakolare në derbi ndaj Milanit, me rezultatin 5-1, Interi e ka përqendruar menjëherë vëmendjen në mesjavë, në UEFA Champions League. Në javën e parë, nënkampionët e Europës do të vizitojnë në transfertë spanjollët e Real Sociedad.

Në lidhje me këtë sfidë, trajneri Simone Inzaghi e bëri shumë të qartë. Pas suksesit ndaj Milanit, numri një i stolit zikaltër, u shpreh se lojtarët e stolit janë tepër të rëndësishëm në planet e tij. Kjo do të thotë se të mërkurën mbrëma, Interi do të ketë ndryshime në formacion. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, Benjamin Pavard do të jetë në formacion. Për mbrojtësin e djathtë u paguan më tepër se 30 milionë euro për ta transferuar nga Bayerni, e për këtë arsye, francezi do të luajë titullar në Champions League, edhe për shkak të eksperiencës që zotëron në një kompeticion të tillë.

Më tej, vend do të ketë Stefan de Vrij, i cili në kampionat, e ka parë veten ngushtë për të luajtur në formacion, për shkak të konkurencës me shokët tjerë të ekipit. Të tjera ndryshime që Inzaghi pritet të bëjë, janë edhe aktivizimi që nga minuta e parë, e futbollistëve, Carlos Augusto, apo edhe Davide Frattesi, me këtë të fundit, që në derbin ndaj Milanit, edhe nga stoli dhe arriti të realizonte golin e fundit të derbit. Sa i përket sulmit, Lautaro Martinez konsiderohet i paprekshëm, por s’mund të thuhet e njëjta gjë për Marcus Thuram, i cili këtë herë, mund të hapë krahun, që në vend të tij të aktivizohet Marko Arnautoviç.

Sakaq, teksa Milani po përjeton moment të vështirë pas turpërimit në derbi, edhe ekipi kuqezi po bëhet gati për të luajtur në Champions League. Në javën e parë, kuqezinjtë do të presin në shtëpi, skuadrën Neëcastle. Mirëpo, ndryshe nga Simone Inzaghi, Stefano Pioli ka të tjera ide në mendje. Sipas raportimeve, timonieri i Milanit, pritet t’i besojë thuajse të njëjtit rreshtim që luajti ndaj Interit, megjithëse nuk përjashtohet ndonjë ndryshim i vogël. Pioli, ka besim të palëkundur tek futbollistët e tij, e për këtë arsye, dëshiron që skuadra të rikthehet në rrugën e fitoreve, pikërisht me formacionin që u mposht në derbi.

Nisur nga ky aspekti, ndonëse nuk do të ketë shumë ndryshime taktike, mesa duket, misioni më i madh i Piolit, dë të jetë puna në aspektin psikologjik me futbollistët e tij.