Edhe pse vinin pa Russell Westbrook dhe James Harden, Houston Rockets ia kanë dalë mbanë të fitojnë një ndeshje të rëndësishme përballë një nga rivalëve më në formë në ‘Konferencën e Perëndimit’. Rockets mposhtën 126-117 Utah Jazz, falë një super Eric Gordon, që realizoi plot 50 pikë. Asnjëherë më parë në karrierën e tij, Gordon nuk kishte realizuar kaq shumë pikë. Paraqitje të mirë për Houston bëri edhe Austin Rivers me 21 pikë, kurse House kompletoi një ‘double-double’ me 21 pikë dhe 11 rikuperime të topit nën tabelë. Tek Utah, Donovan Mitchell dhe Bojan Bogdanovic realizuan së bashku 66 pikë, por që nuk e shmangën dot këtë humbje të Jazz pas 4 fitoreve radhazi.
Dallas Mavericks ndërkohë morën fitoren e radhës, pasi triumfuan ndaj Oklahoma City Thunder me rezultatin 107-97. Luka Doncic e mbylli si më i miri në parket, me 29 pikë, 5 asiste dhe 11 rikuperime të topit nën tabelë. Performancë e mirë tek Dallas edhe nga ana e Delon Wright dhe Kristaps Porzingis, që po ashtu realizuan ‘double-double’. Tek Oklahoma, shënuesi më i mirë ishte Dennis Schroder me 21 pikë, ndërsa Gilgeous-Alexander u përpoq të jepte kontributin e tij me 16 pikë dhe 11 rikuperime të topit nën tabelë.
Është befasuar ndërkohë skuadra tjetër nga Teksasi, San Antonio Spurs, të cilët u mundën në sekondat e fundit 109-110 nga Chicago Bulls. DeMar DeRozan dukej se po udhëhiqte skuadrën e Spurs drejt fitores së radhës me 36 pikë dhe 10 rikuperime të topit nën tabelë. Por plot 7 lojtarë të Chicagos realizuan 10 ose më shumë pikë, me Zach LaVine që ishte shënuesi më i mirë i Bulls me 23 pikë. Përmbysja e madhe e vendasve do të vinte në periodën e fundit të lojës, të cilën ata e fituan me rezultatin e pjessshëm 35-24.