Java e 26-të e kampionatit skocez pa sërish Celticun të zgjeronte distancën nga Rangersat, kjo pasi blutë e Glasgowt u ndalën në barazim me St.Johnstone. Si fillim blutë e Steven Gerrard, të shtunën, nuk ia dolën mbanë për të shënuar qoftë dhe një gol. Në Ibrox, kundër St.Johnstone, mungonte Morelos. Prezenca e Defoe, apo dhe e Davis nga nga minuta e parë nuk rezultuan të suksseshme. Pas 90 minutave lojë Rangers u ndal për herë të 11 këtë sezon. Ky ishte barazimi i 7-të dhe i lë ata me 52 pikë në vendin e dytë, 5 më shumë se Aberdeen-i, dhe 8 larg Celtic-ut kryesues. Pikërisht keltët e Brendan Rodgers treguan karakter duke marrë një fitore në sekondat e fundit. Përballë Kilmarnock, kampionët e Skocisë vuajtën jashtë mase.
Ata vinin pas humbjes 2-0 me Valencian në Europa League dhe lodhja reflektohej qartë në fushë. Sidoqoftë pas shumë përpjekjesh, ishte kapiteni Scott Brown ai i cili vulosi rezultatin e 8 radhazi pozitiv në Skoci. Keltët mbeten ende pa asnjë gol të pësuar për këtë vit, për sa i përket përballjeve në kompeticionet vendase dhe tifozët ëndërrojnë më shumë titullin e 8 radhazi që do të rrumbullakoste kampionatet në plot 50-të, katër më pak se rivalët historik të Rangersave. Por e diela rezervoi gjithashtu një ndeshje tejet emocionuese Motherwell fitoi 2-1 ndaj Hearts. Në një ndeshje që i pa të gjitha, gola, karton të kuq dhe plot luftë në fushë, fitorja u arrit në minutën e 93-të. Kjo ishte fitorja e 5-të për ta dhe i fut në lojë për një vend në fazën “Play-Off” të kampionatit.