Fitore minimale e Real Madrid, vendos goli i një braziliani

Sport

Real Madrid kualifikohet me mjaft vështirësi në raundin e 1/8-tave të Kupës së Mbretit në Spanjë. Në 1/16-tat, kampionët e La Ligas, vizituan në transfertë modestët e Cacereno, ndaj të cilëve fituan me rezultatin minimal 1-0.

Pas një pjese të parë pa gola, dhe të dominuar më tepër nga ana e vendasve, miqtë arritën të shënonin vetëm në të 69-tën me anë të Rodrygos. Braziliani arriti të finalizonte pas një lëvizje mjeshtërore brenda zonës.

Ndonëse jo me formacionin më të mirë të mundshëm, Reali arriti të siguronte biletën drejt raundit tjetër dhe Carlo Ançelotti është i kënaqur me performancën e ekipit të tij. “Sfida më pëlqeu që prej minutës së parë, e deri në të fundit. E dinim se do të vuanim, por nuk rrezikuam në prapavijë dhe kjo është ndeshja e dytë radhazi që nuk pësojmë”, ka deklaruar tekniku italian.

Kjo ishte një sfidë, në të cilën, Eden Hazard luajti titullar, por belgu nuk arriti të linte dot gjurmë, dhe si pasojë u zëvendësua në minutën e 68-të. Anësori i sulmit është kritikuar jo pak për formën e tij të dobët, duke mos arritur të tregojë dot asgjë, edhe në momentin që i është dhënë mundësia të luajë titullar.

Në rrethana si këto, mediat në Spanjë e shohin këtë sezon të Hazard, si të fundit me fanellën e Real Madrid, ndonëse kontrata e tij është e vlefshme deri në verën e 2024-tës.