Fitore historike e Interit në fushën e Napolit

Sport

Interi fiton bindshëm ndaj Napolit, duke rimarrë shpejt kreun e renditjes në  Serie A. Në javën e 14 të kampionatit, zikaltërit e bënë më të lehtë nga sa mund të mendohej transfertën ndaj skuadrës kampione në fuqi të Italisë.

Të besuarit e Simone Inzaghit triumfuan me rezultatin 3-0 në stadiumin “Maradona”, me golat e shënuar nga Hakan Çalhanoglu, Nicolo Barella dhe Marcus Thuram. Kur kemi lënë pas thuajse 1/3-tën e sezonit,Thuram po rezultaon një përforcim i jashtëzakonshëm për Interin. I afruar në San Siro me parametra zero, sulmuesi i qendrës po rezulton menjëherë vendimtar për 19 herë kampionët e Italisë.

Me 5 gola dhe 5 asiste deri më tani, Thuram është bërë një nga 8 sulmuesit që gëzon një statistikë të tillë në 5 ligat kryesore të Europës, ndërsa në Itali, është lojtari i vetëm me njëe statistikë të tillë.

Për të kuptuar që fitorja 3-0 e Interit ndaj Napolit, ishte historike, mjafton të përmendim këtu që nga viti 1977, zikaltërit nuk kishin fituar asnjëherë me 3 gola diferencë në shtëpinë e Napolit.

Nga ana tjetër, Napoli, po përjeton një nga periudhat më të dobëta në histori, sa i përket ndeshjeve të kampionatit në shtëpi. Në 7 ndeshjet e para të këtij sezoni në Maradona, Napoli ka humbur 4 prej tyre, diçka që ka ndodhur vetëm për të  tretën herë në historinë e klubit, ndërsa për herë të fundit, kishte ndodhur në edicionin 1997/98.

Në kushtë si këto, në 14 javë, Interi udhëheq tabelën e klasifikimit me 35 pikë, 2 më tepër sesa Juventusi vendit të dytë. Nga ana tjetër, Napoli, ka  zbritur në vendin e 5, në kuotën e 24 pikëve, po aq sa Roma e vendit të 4, por verdhekuqtë gëzojnë një golavarazh më të mirë.