Jordan Henderson mohon të jetë transferuar për para në Arabinë Saudite. Në merkaton e verës që lamë pas, mesfushori u largua nga Liverpool pas një epoke 12 vjeçare dhe u bë pjesë e Al-Ettifaq në Lindjen e Mesme, atje ku nënshkroi një kontratë 3 vjeçare, dhe prej së cilës arkëton afërsisht 820 mijë euro në javë.
Megjithatë, pavarësisht kësaj kontrate të majme, Henderson mohon të ketë shkuar për para në Arabi. Nga grumbullimi me përfaqësuesen angleze, 33 vjeçari ka treguar se ishte një tjetër arsye ajo që e nxiti atë të largohej nga Liverpool.
“Nëse trajneri Jurgen Klopp, apo ndonjë prej drejtuesve do të më kishte thënë se unë isha ende i rëndësishëm për klubin, atëherë gjërat do të kishin shkuar ndryshe. Nuk po them se ata më larguan me forcë, por nuk ndjeva përkrahje prej tyre dhe e kuptova që isha bërë i padëshiruar në atë rreth”, janë fjalët e britanikut, i cili e ka shpjeguar në këtë mënyrë ndarjen me 19 herë kampionët e Premier League.
Me Al-Ettifaq, atje ku trajner është Steven Gerrard, Henderson ka luajtur titullar në secilën prej 4 javëve të para të kampionatit dhe deri më tani, ka kontribuar me dy asiste për shokët e skuadrës.