Roberto Firmino është parë gjithmonë si një ndër lojtarët më të nënvlerësuar jo vetëm nga tifozët, por edhe nga bashkëlojtarët e tij tek Liverpool. Braziliani shënoi golin e tretë për ‘the reds’ në fitoren kundër Burnley, duke arritur kuotën e 50 golave në ‘Premier League’.
Firmino u bë në këtë mënyrë edhe lojtari i parë brazilian që arrin të shënojë kaq shumë në elitën e futbollit anglez, teksa për shumë tifozë të Liverpool, ai i larguar të gjitha hijet e dikurshme të Luis Suarez. Trajneri Jurgen Klopp e cilëson numrin 9 të skuadrës së tij si një nga lojtarët më të mirë që ka stërvitur ndonjëherë, teksa shoku i tij i skuadrës, Andy Robertson thekson se Firmino është ndoshta lojtari më i rëndësishëm që ka Liverpooli në këto momente, pavarësisht se shumë njerëz refuzojnë ta shohin realitetin si duhet. Në transfertën me Burnleyn, tifozët e Liverpool thirrën në kor emrin e tij, duke e cilësuar si sulmuesin më të mirë në botë.
Në fakt shumë statistika i mbështesin këto cilësime, pasi Firmino nuk është vetëm një golashënues, por edhe një asistues i mirë. Braziliani gjithashtu është nga lojtarët që prek më shumë topa brenda zonës, si dhe një nga ata që ka krijuar më shumë raste në Angli.
Klopp thoshte se Firmino mund të mos jetë një sulmues 9 i mirëfilltë, por kjo e bën të veçantë, pasi në fakt ai nuk i zoti vetëm për të shtyrë topin në rrjetë.
“Firmino është nga ata lojtarë që mund të sakrifikojë çdo gjë për skuadrën dhe rekordi si braziliani i parë që shënon 50 gola në ‘Premier League’ ishte diçka që pritej.”
Roberto Firmino u bë pjesë e Liverpool në verën e vitit 2015, kur ‘the reds’ shpenzuan mbi 40 milionë euro për të marrë shërbimet e tij nga skuadra e Hoffenheim në Gjermani.