Pasi kishte pësuar 3 humbje radhazi, Fiorentina arrin të kthehet tek fitorja dhe këtë e ka bërë përballë një rivali të vështirë sikurse është Roma. Takimi i luajtur në Artemio Franchi, i vlefshëm për javën e 36 të Serisë A, ka përfunduar me rezultatin 2-0 për ekipin vjollcë.
Të besuarit e Vinçenzo Italianos i siguruan mjaft shpejt 3 pikët, teksa kaluan në avantazh që në minutën e 5-të të takimit, kur Nicolas Gonzalez u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Vetëm 7 minuta më vonë, Giacomo Bonaventura dyfishoi rezultatin, me një goditje mjaft të bukur në këndin më të pargët të portës së mbrojtur nga Rui Patricio.
Ndërkohë, Roma, pavarësisht përkjekjeve, nuk mundi të rikthehej dot në lojë, me shifrat që mbetën të pandryshuara deri në fërshëllimën e fundit.
Kjo fitore e Fiorentinës, vërtetoi edhe një herë tjetër se ndeshjet e shtëpisë janë pika më e fortë e këtij sezoni për ekipin e drejtuar nga Vinçenzo Italiano. Në 18 takime të luajtura në fortesën “Artemio Franchi” , vjollcët kanë marrë 38 pikë nga 59 që kanë në total. Vetëm Interi me 42 ka mundur të bëjë më mirë në këtë drejtim. Një statistikë të tillë, Fiorentina nuk e arrinte që nga sezoni 2012/13-të.
Me këtë fitore, me dy javë nga fundit, Fiorentina e ka bërë mjaft interesante garën për një vend në Europa League, sepse së bashku me Romën dhe Atalantën, të 3-ja skuadrat kanë nga 59 pikë dhe renditen përkatësisht në vendin e 6, të 7 dhe të 8-të.