Fiorentina; Drejtuesit shtyjnë Chiesan drejt një transferimi në Angli

Sport

Duket mëse e sigurtë se Federico Chiesa do të largohet nga Fiorentina gjatë kësaj merkatoje verore. Sulmuesi italian me gjasa do t’i japë fund aventurës së tij me skuadrën e ‘Serie A’, duke parë edhe ofertat e shumta që kanë ardhur në drejtim të tij. Por duket se vetë drejtuesit e Fiorentinës, janë të prirur për të shitur lojtarin drejt një klubi anglez. Është drejtorit ekzekutiv i klubit, Joe Barone, ai që ka zbuluar se për Chiesan ka shumë klube të mëdha që kanë paraqitur ofertat e tyre fillestare. Barone shtoi se pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Anglia, teksa pak ditë më parë, mediat listuan emrat e Arsenal, Tottenham, Manchester United dhe Chelsea, si ndër klubet më të interesuara për shërbimet e lojtarit në fjalë. Ndërsa në Itali, gara është mes Juventus dhe Inter, ndonëse drejtuesit e klubit nga Firence kërkojnë ta shesin lojtarin jashtë ‘Serisë A’.

“Chiesa për momentin është lojtar i Fiorentinës. Janë disa klube që janë interesuar për lojtarin, shumë prej të cilëve nga Anglia. Por tani jemi të përqëndruar për të mbyllur sezonin sa më mirë. Më pas të shohim.”

Mediat italiane zbulojnë se edhe nga ana financiare, ofertat që mund të vijnë nga klubet angleze pritet të jenë më të larta se sa ato të Juventus apo Inter, gjithmonë nëse dy skuadrat italiane vendosin të konkretizojnë interesimin e tyre për Chiesan. Në fund, Barone foli edhe për një tjetër lojtar që ka shkëlqyer me Fiorentinën në këtë sezon, Gaetano Castrovilli. Drejtori i Fiorentinës u shpreh se mesfushori ka ende shumë për të dhënë në futbollin italian, prandaj gjasat janë që ai të mbetet edhe sezonin e ardhshëm në Firence.