Kroacia ka mundur Anglinë me rezultatin 2-1 pas kohës shtesë, falë një goli te Mandzukic, dhe do të luajë për herë të parë finalen e një Kupe Bote. Trippier kaloi në fillim të ndeshjes Anglinë në avantazh me një goditje dënimi spektakolare, por Perisic barazoi në pjesën e dytë. Në shtesë, heroi kroat u bë Mario Mandzukic, i cili iu vodh dy qendërmbrojtësve për të shënuar golin historik për kombin e tij. Skuadra ballkanase bëri mrekullinë, duke eliminuar një pretendente si Anglia. Hera e parë për Kroacinë e drejtuar nga Zlatko Daliç që mbërrin në finalen e Kupës së Botës. Kroacia do të presë të dielën për të luajtur finalen me Francën në stadiumin “Luzhniki” të Moskës. Anglia do të përballet me Belgjikën për vendin e tretë të shtunën, në Shën Peterburg.
Por krahas kësaj finaleje, janë të shumtë ata që e mbajnë mend Botërorin 1998 dhe ekipin simpatik të atij kompeticioni, Kroacinë. Kombëtarja ballkanase ishte surpriza e atij viti në Francë, kur arriti deri në gjysmëfinale, por u eliminua nga vendasit me rezultatin 2-1, në një moment kur madje edhe kryesonin 0-1 falë një goli të Suker. Në atë Botëror, Kroacia u rendit e treta duke bërë krenar një komb të tërë. Një plejadë e shkëlqyer futbollistësh me Tudor, Jarni, Prosinencki, Bilic e shumë të tjerë, por që kulmonin me dy superyjet Boban dhe Suker.
Në fakt, kombëtarja e sotme e Kroacisë duket edhe më e fortë. Me lojtarë si Lovren, Rakitic, Modric, Kovacic apo edhe Mandiziukic, që luajnë në ekipet më të mira të botës, u bënë protagonistë dhe siguruan finalen e madhe. Në brigjet e Dalmacisë, ëndrra se kjo kombëtare mund të përsëriste atë që bënë Suker me shokë në vitin 1998, tashmë është realitet.