Dy gjysmëfinalet spektakolare dhe emocionuese të Champions League dhanë verdiktin se në finalen e 1 qershorit në stadiumin “Uanda Metropolitano” të Madridit do të përballen Liverpuli i Klopit dhe Totenhemi i Poçetinos. Në pritje të asaj sfide që do të nxjerrë fituesen e këtij viti, UEFA ka zyrtarizuar grupin muzikor që do të jetë i ftuar special në ceremoninë përpara finales. Bëhet fjalë për fituesit e “Grammy Awards”, Imagine Dragons, të njohur me hite si Believer, Radioactive apo Thunder. Solisti i “rock-band”-it, Dan Reynolds është shprehur tepër i nderuar që do të luajë në një event të tillë që do të ndiqet nga miliarda shikues në planet, ndërsa ka premtuar vëretet një shfaqje të madhe në Madrid pas gati 3 javësh.
Mësohet se finalja e këtij viti do të transmetohet në më shumë se 200 vende nëpër botë. UEFA ka bërë me dije se ceremonia hapëse do të jetë e një niveli produksioni që nuk është shikuar kurrë më parë në aktin përfundimtar të kompeticioni më prestigjoz të futbollit për klube. Ndërsa “Imagine Dragons” do të zbresin në fushën e stadiumit rreth 10 minuta përara vërshëllimës së parë që do të sinjalizojë fillimin e ndeshjes së shumëpritur. Vitin e kaluar në finalen e Kievit ishte këngatarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, e cila këndoi në ceremoninë përpara sfidës midis Realit dhe Liverpulit.