Finalja e Champions, Liverpool vlen sa dyfishi i Tottenham…

Sport

Vlerat teknike në fushë nuk diskutohen, si për Liverpulin, ashtu edhe për Totenhemin, të cilët jo më kot kanë mbërritur deri në finalen e Champions League. Po sa kushtojnë në vlera monetare dy skuadrat që do të përplasen të shtunën për të vendosur më të mirën e Evropës? E përditshmja spanjolle “Sport” ka krahasuar rol për rol të gjithë vlerën e lojrarëve të dy skuadrave. Në përfundim ka rezultuar se Klopp ka në dispozicion një grup futbollistësh që vlejnë 385.5 milionë euro. Bëhet fjalë për më shumë se dyfishi i kontigjentit nën urdhërat e Pochetinos, lojtarët e të cilit vlejnë vetëm 164 milionë euro. E megjithatë, në fushë nuk është vërejtur e gjithë kjo diferencë. Përderisa “Spërs” janë treguar të zotët për të kompensuar gjithcka me organizim dhe variacione të shumta sulmuese, aq sa nuk ka bërë të ndihet as një mungesë e rëndë si ajo e Kane’.Sa i takon mbrojtjes, diferenca dallohet që tek porta, duke ditur se Alison u pagua 75 milionë gjatë verës së kalur, ndërsa për Lloris u shpenzuan 15 milionë përpara 6 vjetësh. Pa llogaritur pastaj që Van Dijk u mor për 85 milionë nga Southempton. Në një kohë kur Tottenhemi investoi vetëm 45 milionë për të gjithë repartin e vet mbrojtës, ndërsa më i kushtueshmi është Alderuairld, 16 milionë euro.


Sikur mos mjaftonte kaq, 110 milionë kushtuan dy përforcimet e mesfushës së Liverpulit, Fabinjo e Nabi Keita gjatë verës së kaluar, kur Totenhemi nuk bëri asnjë blerje. Veçanërisht braziliani është bërë i pazëvendësueshëm në një repart, ku “Spërs” shfaqen më pak të kushtueshëm, por më cilësor me Eriksen që u mor vetëm 13.5 milionë euro dhe Delle Alli për 6.6 milionë. Këtyre u shtohen edhe 60 milionët që janë shpenzuar për sulmin, me Son dhe Lucas. Kurse Kane’ është produkt i sektorit të të rinjve. Ndryshe vlen diskutimi për sulmin e Liverpulit, ku Salah e Firmino erdhën secili për rreth 40 milionë euro, kurse Mane’ kushtoi vetëm 34 milionë megjithëse sot vlen shumë më tepër. Jo më kot për ta shitur te Reali, drejtuesit kanë kërkuar një shifër të çmendur prej 230 milionësh. Gjithsesi, të shtunën në fushë nuk do të zbresin shifrat. Prandaj, kjo finale e Chmpions parashikohet më e ekuilibruar se kurrë!