Në vigjilje të finales së madhe të UEFA Champions League, mes Manchester Cityt dhe Interit të shtunën mbrëma, një ndër temat më të diskutuara gjerësisht, është mënyra se si do të luajnë të dy trajnerët, Pep Guardiola, apo edhe Simone Inzaghi.
Mediat e huaja shkruajnë se nga të dy takticienët, nuk pritet ndonjë befasi e madhe në formacion. Është mëse e mundshme që strategët në fjalë, të mos dalin jashtë parashikimeve, por të luajnë me rreshtimet e tyre të zakonshme.
Sa i përket Cityt, Ederson Moraes duket i palëvizshëm në portë. Mbrojtja do të përbëhet nga Ëalker, Dias dhe Akanji, së bashku me John Stones, me këtë të fundit, që pritet të përparojë ndjeshëm me topin, deri në mesfushë, ashtu sikurse ka ndodhur në shumë ndeshje të këtij edicioni futbollistik.
Në mesfushë, bie në sy klasi me tepricë i futbollistëve të skuadrës angleze. Rodri, Bernardo Silva, De Bruyne, Gundogan, apo edhe Jack Grealish, do të mbështesin në sulm, shtatlartin Erlin Haaland, që ka bërë lëmsh çdo mbrojtje kundërshtare këtë sezon, me aftësitë e tij të gjithanshme brenda zonës.
Nga ana tjetër, as Simone Inzaghi nuk pritet të kalojë në aventurë, por edhe një herë tjetër, do të luajë me skemën e tij të zakonshme, 3-5-2. Në katërkëndëshin e interit, do të jetë Onana, ai që këtë sezon, e ka mbajtur kuadratin të paprekur, më tepër herë sesa çdo portier tjetër.
Në mbrojte, do të rreshtohen, Bastoni, Açerbi dhe Darmian. Në mesfushë, nga krahët do të mbulojnë, Dumfries dhe Dimarco, me këtë të fundit, që mesa duket, ka fituar balotazhin me Gosens. Qendra do të përbëhet nga Çalhanoglu, Brovoziç dhe Barella. Dilema e vetme e Inzaghit është sulmi, por që gjithësesi edhe në këtë aspekt, dyshimet mund të kenë marrë fund. Në krahë të Lautaro Martinez, pritet të rreshtohet Edin Dzeko, ndërsa Romelu Lukaku do e nisë finalen nga stoli. Belgu pritet të jetë asi nën mëngë i Inzaghit për pjesën e dytë të sfidës.