FIFA zgjedh Messin si lojtarin më të mirë të 2019-ës, polemika për skuadrën e vitit

Sport

Lionel Messi ka mposhtur konkurencën e Virgil Van Dijk dhe Cristiano Ronaldos duke rrëmbyer çmimin e dhënë nga FIFA për lojtarin më të mirë të vitit. Argjentinasi e fitoi këtë çmim për herë të gjashtë në karrierë, më shumë se kushdo tjetër në histori. Kapiteni i Barcelonës u vlerësua për paraqitjet e sezonit të shkuar, ku në 58 ndeshje, shënoi plot 54 gola dhe 20 asiste. Messi grumbulloi 46% pikëve në votimet për lojtarin më të mirë, duke lënë pas vetes Van Dijk me 38% të pikëve dhe Cristiano Ronaldon me 36%. Renditja më pas pasohet nga dy yjet e Liverpool, Salah dhe Sadio Mane, të ndjekur nga Mbappe, De Jong, Hazard, De Ligt dhe Harry Kane.


Tek femrat, lojtarja e viti u shpall Megan Rapinoe, që mposhti konkurencën e Lucy Bronze dhe Alex Morgan. Portieri i vitit u shpall kampioni i Europës me Liverpool, Alisson Becker. ‘The reds’ i gëzohen edhe çmimit të marrë nga Jurgen Klopp, i vlerësuar nga FIFA si trajneri më i mirë i sezonit të shkuar. Polemika ndërkohë pati për skuadrën e vitit. Sipas rezultatit të votimeve të FIFA-s, skuadra e vitit përbëhet nga Alisson, Marcelo, Van Dijk, Sergio Ramos, De Ligt, Luka Modric, De Jong, Eden Hazard, Mbappe, Ronaldo dhe Messi. Fillimisht ka rënë në sy fakti që Liverpool ka vetëm 2 lojtarë në formacionin e vitit, çfarë vërtet ka krijuar pakënaqësi në radhët e tifozëve, sidomos kur sheh prezencën e 3 prej lojtarëve të Real Madrid, si Ramos, Marcelo e Modric. Futbollistët ‘los blancos’ patën një sezon të dështuar vitin e kaluar dhe prezenca e tyre në formacionin e vitit duket disi e pajustifikuar. Ndërsa veç mungesës së disa prej lojtarëve të Liverpool, tërheq vëmendje edhe fakti që nuk janë marrë aspak në konsideratë lojtarët e Manchester City apo Tottenham.