FIFA/ Ky është formacioni më i mirë i vitit që lamë pas

Sport

Në mbrëmjen gala të organizuar nga FIFA për më të mirët e vitit 2022, përfaqësuesit e qeverisë së futbollit, kanë votuar gjithashtu edhe për formacionin  më të dalluar të vitit që lamë pas. Në portë, rreshtohet Thibat Courtois, i cili, përgjatë 2022-shit, zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me Real Madrid dhe ishte një prej protagonistëve absolutë të Los Blancos në triumfin e tyre të 14-të të Champions League.

Reparti i mbrojtjes përbëhet nga 3 futbollistë, duke nisur nga Virgil Van Dijk, Joao Cancelo dhe Achraf Hakimi. Në edicionin e kaluar, Lliverpool konkuroi deri në moment të fundit në 4 kompeticione të ndryshme dhe hollandezi ishte lideri i prapavijës së gjigantëve nga Merseyside.

Më tej, mbrojtësi tjetër është Joao Cancelo, i cili zhvilloi një paraqitje pozitive me Manchester Cityn, jo vetëm në Angli, por gjithashtu edhe në Champions League. anësori i djathtë pati performance të kënaqshme edhe në Botërorin e Katarit.

Mbrojtësi tjetër është Achraf Hakimi, i cili përveç paraqitjeve dinjitoze me PSG, spikatjen më të madhe e bëri në Kupën e Botës, teksa u kthye në një prej më të rëndësishmëve në rrugëtimin historic të Marokut deri në gjysmëfinale të Botërorit.

Më tej, në mesfushë, kualiteti është mjaft i lartë, duke nisur nga Luka Modriç, Casemiro, dhe Kevin De Bruyne. Modriç, nga sezoni në sezon po vërteton se mosha është thjesht një numër për të. Ndërsa Casemiro është një tjetër futbollist i rreshtuar në mesfushë, me brazilianin që ka qenë protagonist me Real Madrid, Manchester United, apo edhe me përfaqësuesen e tij.

Kevin De Bruyne është perzonazhi i radhës në mesfushë, i cili prej vitesh shkëlqen me Manchester Cityn.

Në sulm janë përzgjedhur 4 futbollistë, duke nisur nga Lionel Messi, Karim Benzema, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland, që të gjithë protagonistë me skuadrat dhe përfaqësueset e tyre respective. Veçojmë këtu faktin që Messi arriti të fitonte Kupën e Botës, ndërsa Mbappe doli nënkampion në Katar. Ndërsa Benzema nuk arriti të luante dot në Botëror si pasojë e dëmtimit, ndërsa Erling Haaland nuk ishte pjesëmarrës me përfaqësuesen norvegjeze.