Pandemia Covid 19-të ka bërë që futbolli të ndryshojë disa rregulla kur të rikthehet në fushën e lojës. FIFA është pranë marrjes së një vendimi shumë të rëndësishëm, duke mundësuar që klubet të kenë nga 5 ndërrime në dispozicion gjatë një ndeshje. Kjo do të bëhet në mënyrë që trajnerët t’i japin më shumë freski skuadrës, duke shmanguar kështu edhe ndonjë dëmtim të mundshëm. Sikurse raporton Marca, ky vendim tashmë është marrë nga Fifa dhe pritet të bëhet zyrtar vetëm në ditët e ardhshme. Në fakt, dëmtimet e lojtarëve janë një shqetësim që mjekët e klubeve kanë ngritur së fundi. Konkretisht, stafi mjekësor i Barcelonës i frikësohet një krize të madhe që mund të përfshijë klubin në momentin kur skuadra të zbresë në fushë. Sipas tyre, që në javën e parë, ekipi mund të përballet me 5 deri në 10 dëmtime. Kjo argumentohet se forma fizike e lojtarëve është tepër e ulët dhe stërvitja nuk mjafton, nëse nuk zhvillohet edhe ndonjë turne miqësoresh. Të luajturit çdo 2-3 dite dhe temperatura e lartë mund të jetë një tjetër faktor që futbollistët do të kenë kundër.
Në këtë situatë, Federata Angleze e Futbollit ka kërkuar që të miratohet një vendim për shkurtimin e ndeshjes, ku një pjesë të bëhet më pak se 45 minuta. Mirëpo duket se diçka e tillë nuk është pranuar nga Fifa për faktin se kjo do i humbte shpirtin futbollit. Së shpejti mendohet së klubet do t’i rikthehen edhe një herë tapetit të blertë, ndërsa me shumë mundësi do jetë Bundesliga që pritet të rifillojë në datën 15 maj.
Në Spanjë klubet kanë marrë dritën jeshile për të nisur stërvitjen, teksa do e bëjnë diçka të tillë pasi klubet të kryejnë testet e Covid 19-të ndaj lojtarëve. Në Itali dhe Angli pritet të jepet sinjali për rikthimin në fushë, kurse Franca e mbylli sezonin, teksa titulli shkoi për PSG.