FIFA gati të japë dënim maksimal për Luis Rubiales

Sport

Luis Rubiales rrezikon të përjashtohet 15 vite nga futbolli. Gjatë shpërndarjes së medaljeve fituese të Botërorit të Femrave, që Spanja triumfoi ndaj Anglisë, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit puthi në buzë futbollisten Jenni Hermoso. Ky veprim, ka bërë menjëherë xhiron e botës dhe tashmë Rubiales është vënë me shpatulla pas murit.

Anëtarët e tjerë të Federatës Spanjolle, i kanë kërkuar 46 vjeçarit dorëheqjen e menjëhershme, sepse ajo sjellje konsiderohet totalisht e pahijshme dhe ka prishur imazhin e futbollit spanjoll në botë. Por, pavarëissht kërkesës, Rubiales nuk pranon të bëjë pas.

Në kushte si këto, mediat e huaja bëjnë me dije se FIFA është gati të ndërhyjë. Qeveria e Futbollit Botëror, mund ta përjashtojë presidentin Rubiales për 15 vite nga futbolli, maksimumi që e lejon statusi për të tilla shkelje. Mirëpo, masa ndëshkuese pritet të jetë më e gjerë se kaq.

Nëse Rubiales nuk jep dorëheqjen, atëherë FIFA do t’i përjashtojë të dyja përfaqësueset spanjolle, si atë të meshkujve dhe femrave, nga çdo aktivitet futbollistik. Po ashtu, pritet ta pësojnë edhe klubet elitare spanjolle, të cilat nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në kompeticionet ndërkombëtare.