Van Persie, trajner i Feyenord:
“Mund të them se java ime e parë si trajner i Feyenoord, ishte shumë pozitive dhe me ndjesi të shkëlqyera. Mezi pres, do të jetë hera ime e parë në Ligën e Kampioneve si trajner.Fillon një periudhë intensive, në të cilën kemi shumë ndeshje. Mirëpo di të them se lojtarët po japin gjithçka dhe po tregojnë se janë gati për këto sfida. Interi është një ekip shumë i fortë, ka pësuar vetëm një gol në Ligën e Kampioneve. Kanë një mënyrë shumë efektive për t’u mbrojtur, por janë të mirë edhe në sulm. Shfrytëzojnë mirë hapësirat dhe këto janë pikat e forta ku ata do të mbështeten. Për ne është e rëndësishme të luajmë dhe të mbrohemi mirë. Do të kemi tifozët pas nesh dhe ata do të jenë njeriu ynë i 12-të. Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë, jemi gati!
Si lojtar, Interin e kam mundur në 2002-shin për Kupën UEFA. E madje në fushë ishin lojtarë të kalibrit të brazilianit Ronaldo, Seedorf e Zanetti… Ishte një Inter shumë i fortë. E mbaj mend shumë mirë atë përballje me dy takime ndaj Interit. Në të dyja ndeshjet hyra nga stoli. Në fund, duke u mbrojtur mirë dhe me pak fat, u kualifikuam ne. Unë dhashë një asist, bëra një finte ‘alla Zidane’ dhe u dëmtova. Ndodhën të gjitha njëherësh. Në atë kohë luaja me dhimbje në ije, por doja të isha në fushë dhe nuk i thashë asgjë trajnerit tim. Sot, nëse ndonjë lojtar i imi do të bënte të njëjtën gjë, nuk do të isha i lumtur.”
Julián Carranza, sulmuesi i Feyenoord
“Sonte kemi përgatitur planin tonë më të mirë dhe jemi gati ta zbatojmë atë në fushë. Në Ligën e Kampionëve duhet të jesh 100%, ose edhe më shumë. Ky kompeticion nxjerr përherë më të mirën nga ty, dhe ne e kemi treguar kundër skuadrave të mëdha si Bayern, Milan, apo dhe Benfica. Pres të njëjtën gjë edhe këtë herë ndaj Interit. Van Persie? Jam shumë i lumtur që e kam si trajner dhe me kalimin e kohës do të mund të flasim gjithnjë e më shumë për gjithçka sa i takon edhe rolit të sulmuesit. Ai na ka thënë se duhet të lëvizim shumë, kur nuk e kemi topin, në mënyrë që ta kthejmë sa më shpejt situatën në favorin tonë dhe pastaj të jemi vetvetja në fazën e sulmit. Mendoj se po punojmë shumë mirë në stërvitje dhe në ekip mbizotëron një atmosferë e mirë”.
S.Inzaghi (trajner i Inter):
“Deri tani, skuadra po bën mirë, edhe pse jemi qartësisht në një emergjencë, veçanërisht sa i takon korsive të mesfushës. Kemi punuar shumë për të mbërritur deri në këtë fazë të Champions Ligë. Ky është një moment vendimtar dhe duhet të jemi gati. Feyenoordi meriton të gjithë vlerësimin tonë, pasi mundi Bayernin, befasuan Cityn nga 3-0 në 3-3, por eliminuan edhe Milanin. Prandaj do të duhet vëmendje e madhe kundrejt një skuadre të tillë.
Bastoni? Mendoj se ai do të na japë një dorë. Një ekip mund të ndërtojë manovrat në një mënyrë dhe të bëjë dalje të ndryshme pa top, kështu që mbrojtja është gjithmonë me katër lojtarë kur mbrojtësi i djathtë del përpara. Sommer? Ai ka bërë një punë të shkëlqyer me rifatësimin e tij. Eshtë plotësisht i disponueshëm, por edhe këtë radhë do të luajë Martinez.
Feyenoordin do ta përkufizoja si një ekip fizik, me cilësi të shkëlqyera. që ka ndërruar trajner dhe tashmë ka bërë gjëra të mëdha në Champions.Ne e dimë se në shtëpinë e tyre nuk është një mjedis i thjeshtë. Unë kam luajtur në këtë stadium në vitin 2000 me Lazion. Unë nuk kam qenë asnjëherë më parë këtu, duke drejtuar ndonjë skuadër si trajner, por e di që është një mjedis i nxehtë. E dimë që do të ketë një ndeshje të kthimit javën tjetër në Milano, por duhet të mendojmë vetëm e vetëm për sot. Mungesat janë normale, pasi i kanë të gjitha skuadrat, prandaj duhet të jemi në gjendje të dalim sa më mirë edhe nga kjo situatë”.
Stefan de Vrij, lojtar I Inter, ish-mbrojtësi i Feyenoord:
“E njoh mirë atmosferën këtu! Eshtë e bukur dhe tifozët me të vërtetë e shtyjnë përpara skuadrën. Të gjithë mund të shohin një Feyenoord, që ka arritur të marrë diçka plus në këtë Champions League, pasi ka mposhtur Bayernin dhe Milanin. Presim një ndeshje të shkëlqyer. Do të jetë e veçantë për mua… Unë jam rritur këtu, kam kaluar gjithë sektoret e të rinjve, si dhe kam ëndërruar të luaj përpara kësaj tifozerie të magjishme. E kam arritur dhe mund të them se shijova pesë vite të mrekullueshme. Qasja është gjithmonë e njëjtë në çdo ndeshje. Ka gjithmonë faza në çdo ndeshje ku je nën presion, por ne gjithmonë përpiqemi të jemi të fortë në mbrojtje dhe të mos pësojë gola. Në Champions League ka shkuar shumë mirë dhe padyshim që duam që kjo të vazhdojë”.