Festa e Qazim Laçit ka përfunduar mes dhjetë fotografive më të bukura të Euro 2024, pas 2 ndeshjeve të para nëpër grupe! Konkretisht, në faqet e saj në rrjetet sociale UEFA bëri publike dhjetë fotografitë më të mira të ngurtësuara deri më tani gjatë kompeticionit futbollistik të kontinentit të vjetër, Euro2024. Dhe midis tyre, e treta në radhë, është listuar fotoja e Qazim Laçit, teksa feston golin e shënuar në Hamburg përballë Kroacisë. Laci fiksoi avantazhin në sfidën e dytë të luajtur nga kuqezinjtë në grupin B, duke hapur kështu serinë e realizimeve, në një ndeshje të mbyllur në barazim 2-2 dhe që i dha pikën e parë Shqipërisë në këtë Europian. Ndërkohë që vec vlerës që pati për rezultatin, mund të thuhet se është vlerësuar edhe mënyra e festimit të mesfushorit me origjinë nga Dibra, i cili është një nga futbollistët më të dalluar në këtë kampionat për përfaqësuesen tonë.
Midis fotografive gjenden edhe momente të tjera magjike, ndër të tjera është evidentuar edhe rikthimi me gol i Eriksen në një Europian, me danezin që shënoi në ndeshjen e parë të grupit, atë të barazuar 1-1 kundër SLoovenisë.