Ferrari shpreson të mbyllë sa më shpejt rinovimin me Sebastian Vettel!

Sport

Pavarësisht spekulimeve të shumta për një kalim të Lewis Hamilton tek Ferrari, drejtuesit e markës italiane në ‘Formula 1’ vijojnë të këmbëngulin se Sebastian Vettel mbeten zgjedhja e parë për ta. Gjermani nuk kaloi një sezon shumë të mirë përgjatë 2019-ës, ku për shumë tifozë të këtij sporti, ai humbi edhe duelin brenda skuadrës me pilotin e ri, Charles Leclerc. Megjithatë, Binotto është shprehur i bindur tek aftësitë e katër herë kampionit të botës dhe dëshira e Ferrarit është që të zgjasë kontratën me pilotin gjerman. Marrëveshja aktuale sheh Vettel si pilot të makinës italiane deri në fundin e këtij viti dhe tek Ferrari kanë filluar bisedimet për të zgjatur më tej këtë bashkëpunim.

Ishte vetë Mattia Binotto që e konfirmoi diçka të tillë, duke zbuluar gjithashtu se rinovimi me Vettel është kthyer në një çështje primare, të cilën ata kërkojnë ta zgjidhin sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo, për të ndalur negociatat e mundshme të pilotit gjerman me ndonjë skuderi tjetër, si dhe për të larguar presionin ndaj tij në sezonin e ri, që pritet të fillojë në muajin mars. Megjithatë, vetë 32-vjeçari tha se nuk shqetësohet aspak për çështjen e rinovimit, pasi është e qartë se vullenti i të dyja palëve është të vijojnë bashkëpunimin. Për këtë arsye, ai mendon se gjetja e një marrëveshjeje përfundimtare do të jetë vetëm një çështje kohe dhe se për të, gjëja me e rëndësishme për momentin është të përqëndrohet tek pista, ku synon të marrë më të mirën e mundshme nga makina e sezonit të ri.