Penalltia prej 5 sekondash i kushtoi Sebastian Vettel triumfin në një fundjavë të jashtëzakonshme për skuderinë Ferrari, që në Kanada tregoi shenja të dukshme përmirësime në krahasim me garat e para të sezonit. Teksa udhëhiqte ‘Çmimin e Madh’ të Kanadasë dhe kur kishin ngelur edhe 22 xhiro nga fundi, Vettel gabon në ‘shikanen’ e parë, duke dalë jashtë piste dhe duke u rikthyer përsëri për të mbyllur trajektoren ndaj Lewis Hamilton. Ky kthim i Vettel në pistë në atë incident u cilësua si një veprim i rrezikshëm nga ana e komisarëve të garës, tëcilët vendosën ta ndëshkonin pilotin gjerman me 5 sekonda. Menjëherë sapo u njoh me vendimin, Vettel reagoi ashpër në komunikimin me radio me skuadrën e tij, ndërsa protestat e tij vijuan edhe me veprimet e ferraristit pas përfundimit të garës.
Marka italiane ka lajmëruar pa humbur kohë FIA-n se do ta apelojë vendimin për të penalizuar Vettel me 5 sekonda. Tek kokëkuqja janë të bindur se piloti i tyre nuk gaboi në momentin e kthimit në pistë dhe sipas tyre nuk i kushtëzuan veprimet e Hamilton në atë incident. Ndërsa pilotët e tjerë apo edhe ish-pilotë të ‘Formula 1’ kanë qenë disi të ndarë në mendimet e tyre. Shumë kanë kërkuar që penalitete të tilla të mos jepen, pasi në një farë mënyre vrasin garën, ndërsa ka edhe nga ata që thonë se rregullat janë të njëjta për të gjithë. Në raportin e tyre, komisarët e pistës kanë shpjeguar arsyet e penalizimit të Vettel. Sa i përket apelit të Ferrarit, një komision i caktuar i FIA-s do marrë një vendim brenda 96 orësh dhe tek skuadra italiane janë me shpresën se fitorja do t’i kthehet Sebastian Vettel.