Trajneri I Portugalisë, Fernando Santos ka shpjeguar lëninen në stol të Cristiano Ronaldos në ndeshjen ndaj Zvicrës. Fakti që CR7 nuk ishte në formacion, u diskutua shumë, jo vetëm përpara fillimit të takimit, por gjithashtu edhe pas saj. Në lidhje me këtë temë, kaq të përfolur, shpjegimin e ka dhënë vetë numri një I pankinës luzitane, sipas të cilit, gjithçka ka patur të bëjë me një vendim taktik dhe asgjë më tepër.
“Lënia e Ronaldos në stol ishte një vendim taktik. Unë kryeva gjithashtu edhe disa ndryshime të tjera në rreshtim, sepse doja që skuadra të paraqitej ndryshe ndaj Zvicrës”, tha fillimisht Santos.
Më tej, numri një I përfaqësueses portugeze ka saktësuar se mes tij dhe Cristiano Ronaldos nuk ka asnjë problem. Madje, sipas trajnerit, gjithçka shkon në mënyrë të përkryer, pasi të dy personazhet në fjalë janë miq mes tyre.
“Mes meje dhe kapitenit Ronaldo nuk ka asnjë problem. Ne jemi miq prej shumë vitesh. Ai është një shembull dhe një kapiten I madh”, janë fjalët e 68 vjeçarit.
Pasi eliminoi Zvicrën në raundin e 1/8-tave, në çerekfinale Portugalia do përballet me surprizën e këtij Botërori, Marokun. Mbetet për t’u parë nëse për takimin ndaj afrikanëve, Ronaldo do rikthehet në formacionin titullar, apo do të duhet ta nisë edhe një herë tjetër nga stoli.