Ilkay Gundogan mund të kishte qenë në anën tjetër të Manchesterit nëse Sir Alex Ferguson do të kishte qëndruar si trajner në ‘Old Trafford’. Mesfushori ishte blerja e parë e erës Guardiola tek ‘citizens’, dhe një nga objektivat e fundit të Ferguson përpara se ai të tërhiqej më 2013. Madje trajneri legjendar edhe pas largimit, thuhet të ketë këshilluar drejtuesit të shohin situatën e futbollistit, pas do të zgjidhte shumë probleme në mesfushën e ‘djajve të kuq’. Ai që i zbulon të gjitha këto prapaskena, është ish-asistenti i Ferguson, Rene Meulensteen.
Holandezi 54-vjeçar tregon se Ferguson në atë kohë ishte i stresuar për të gjetur një zëvendësues të denjë të Paul Scholes. Tekniku skocez siç zbulon Meulensteen e ndiqte prej kohësh Gundoganin dhe e kishte objekiv parësor, njësoj siç dëshironte të sillte në ‘Old Trafford’ edhe Marco Reus. Por pas largimit të Ferguson nga stoli, duket se gjithçka u la pas. Futbollisti i lindur në Gelsenkirchen të Gjermanisë, u bë pjesë e Manchester Cityt në verën e vitit 2016, kur skuadra angleze pagoi 27 milionë euro për të marrë shërbimet e tij nga Borussia Dortmund.