Emra si Romelu Lukaku, Alexis Sanchez dhe Diego Godin priten si lojtarët që do të udhëheqin Interin e Antonio Contes, por në fakt në këtë fillim sezoni lideri i vërtetë ka ardhur nga mesfusha. Bëhet fjalë për Stefano Sensin, që deri më tani i tejkaluar të gjitha pritshmëritë ndaj tij, duke fituar jo vetëm besimin e trajnerit Antonio Conte, por edhe ‘zemrën’ e tifozëve zikaltër. Shtatshkurtri shënoi golin deçiziv në fitoren e vuajtur kundër Udineses, çfarë në fakt ishte edhe goli i dytë në 3 ndeshje për të. Sensi u shpreh pas ndeshjes se është frymëzuar nga pesimizmi i njerëzve rreth aftësive të tij, ndërsa një meritë të veçantë për ‘rritjen’ e tij profesionale e ka edhe trajneri Conte.
“Kam mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe tani dua të jap më të mirën time. Mendja ime është përqëndruar vetëm tek futbolli dhe dua të tregoj se sa vlej. Të kesh një trajner si Conte është një nder i madh. Vetëm ideja e prezencës së tij në stol të shtyn gjithmonë të japësh më të mirën.”
Sipas Sensit, skuadra ka krijuar një mentalitet të fortë grupi, pasi të gjithë besojnë se me ndihmën e njëri-tjetrit, këtë sezon mund të bëjnë gjëra të mëdha. Mesufshori refuzoi të fliste për objektiva, teksa tha se në aspektin personal, majfton të jap kontributin e tij për Interin, dhe se për të nuk ka rëndësi nëse shënon gola apo asiston. Gjatë verës, Stefano Sensi u përfol shumë edhe për një kalim tek Milani, pasi kuqezinjtë kishin kohë që e ndiqnin. Por kërkesat e larta të Sassuolos bënë që tek Milan të tërhiqeshin, ndërsa Interi shfrytëzoi rastin për të mbyllur shumë shpejt marrëveshjen për kartonin e 24-vjeçarit.