Fenerbahçe gjendet në krizë të plotë. Jo vetëm sa i takon rezultateve të fundit që ka arritur në Superligën turke (deri para ndërprerjes), por edhe në aspektin financiar. Në një situatë të tillë, drejtuesit e klubit turk mësohet se janë të gatshëm për t’u ulur në negociata me të gjithë klubet e interesuara për futbollistët e skuadrës. Pikërisht, turqit janë vërtet në telashe ekonomike, ndërkohë që përfitimet më të mëdha mund t’i vijnë nga shitja e bomberit kryesor të skuadrës, Vedat Muriqit. Siç raportojnë mediat në Turqi dhe konkretisht gazeta “Fanatik”, Fenerbahçe synon të sigurojë të paktën 35 milionë euro nga shitja e sulmuesit të Kosovës që është edhe golshënuesi kryesor i sulmit të Fenerit. Për shkak të koronavirusit që ka kapluar të gjithë botën e futbollit, kriza financiare ka mbërthyer së tepërmi edhe Fenerbahçen. Ndërkohë që deri tani mësohet se Muriqi ka oferta serioze nga klubet në Premier Ligën angleze. Tottenhami ngjan si klubi më i interesuar për transferimin e shtatlartit kosovar, megjithëse për të interesohen edhe Lazio, Napoli dhe Leicester City. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, teksa me siguri që drejtuesit e Fenerbahces do t’i “binden” skuadrës që do të ofrojë më tepër për të marrë Muriqin.