Felipe Massa do të vazhdojë e të garojë me makina pavarësisht tërheqjes së deklaruar nga Formula 1. Braziliani i cili pak javë më parë rrëfeu se vitin e ardhshëm do të shkëputet përfundimisht nga Williams por edhe nga aktivitetet e formulës në tërësi. Sidoqoftë 35-vjecari në një intervistë për moto-sport, ka bërë me dije se planet e tij janë që ai të mbetet një pilot garash, me gjasa duke kaluar në një kategori tjetër. “Nuk e di, kam dëshirë të vazhdojë e të garoj, më pëlqen ta provoj veten në garat Touring, në Gjermani, në ato Endurance në Shtetet e Bashkuara, apo në Formulën E” – u shpreh ish-piloti i Ferrarit, duke theksuar se momentalisht gjithcka mbetet e hapur për të. Braziliani mes të tjerash bëri me dije se stafi i tij ka nisur me shqyrtimin e të gjitha alternativave, ku sigurisht ndër ato më kryesoret përmendet Formula E. Nëse Massa vendos të kalojë në këtë kategori, atëherë ai do të bëhet piloti i radhës pas Nick Heidfeld, Nelson Piquet Jr apo dhe Sebastien Boemi, të cilët kanë pasur një të kaluar në Formulën 1. Për sa i përket kampionatit të makinave elektrike, që përcillet eskluzivisht në Tring, sezoni i radhës fillon më 9 tetor me garën e Hong Kongut. Së fundmi, për të promovuar zhvillimin e kësaj kategorie, por dhe për të sensibilizuar për reduktimin e gazrave në atmosferë, Lucas di Grassi zbriti në Polin e Veriut, duke dhuruar disa performanca fantastike mbi akull.