Federata zviceriane ‘përzë’ Behramin nga kombëtarja

Sport

Valon Behrami

Valon Behrami nuk do të jetë më pjesë e kombëtares zviceriane. Vetë lojtari e ka konfirmuar këtë duke thenë vetëm se karriera e tij me kombëtaren ka marrë fund.
Një largim disi i papritur ky, por që siç zbulojnë mediat zviceriane, nuk ka ardhur nga vullneti i lojtarit. Një telefonatë 30-sekondëshe e trajnerit të helvetëve, Petkoviç ka informuar lojtarin me origjinë shqiptare se nuk do të jetë më pjesë e Zvicrës. Ky vendim aludohet të jetë imponuar nga ana e federatës zviceriane, pas mbështetjes se Behramit për çështjen Xhaka, Shaqiri e Lichtsteiner. Megjithatë, 33-vjeçari gëzon mbështetjen e mediave helvete, që e kanë quajtur një skandal këtë veprim të federatës së futbollit.
“Federata Zvicerane e humbi kontrollin”, thekson Neue Zürcher Zeitung. “Ajo dhe trajneri treguan mungesë respekti ndaj një futbollisti që ka dhënë shumë për skuadrën”.
“Re të zeza kanë rënë mbi kombëtaren”, shkruante “Aargauer Zeitung”. Ndërsa “Tages-Anzeiger” shton se largimi i Behramit nga kombëtarja është vetëm zhurma e fundit e ngritur rreth skuadrës. “Tagblatt” publikon një letër të hapur drejtuar Valon Behramit ku e falënderon për kontributin e madh që ai ka dhënë, ndërkohë që shfaqi edhe befasinë për mënyrën sesi e menaxhoi këtë situatë Federata Zvicerane e futbollit për ta mbyllur letrën me frazën: Do ta ndjejmë mungesën tënde.
Kjo situatë tek kombëtarja e Zvicrës vjen edhe pas çështjes së diskutuar së fundmi për përsonat me 2 pasaporta. Sportistët me origjinë nga larg Zvicrës, siç janë edhe kontigjenti i lojtarëve shqiptarë, janë vënë në qendër të diskutimit. Edhe tifozë të shumtë zviceriane kanë dalë në mbrojtje të Behramit, të cilin e falenderojnë për kontributin e dhënë për vendin e tyre.