Federata Angleze: “Do të ketë ndeshje edhe të premteve”

Sport

lopta-2-jpg20150707115258
Premier League-a me dorë të hekurt, nuk ka shtytje ndeshjesh për skuadrat që luajnë në kupat e Evropës dhe madje do të luhet edhe të premteve.
Shumë liga të Evropës aplikojnë një ripërcaktim të datave të ndeshjeve kur bëhet fjalë për skuadra që aktivizohen në Champions League apo në Europa League, por kjo gjë nuk bëhet në Angli. Një kalendar i tillë, vitet e fundit, ka ndikuar shumë në rendimentin e skuadrave angleze në Evropë, por pavarësisht kësaj Federata duket se ka vendosur të vazhdojë me të njëjtën praktikë të dorës së hekurt.
Duke folur për “The Guardian” Drejtori Ekzekutiv i Federatës Angleze të Futbollit, Richard Scudamore, tha se është tejet e vështirë për futbollin anglez që të ndryshohen datat e ndeshjeve. Sipas tij madje nuk është e drejtë që vetëm prej një skuadre t’i diktohet kalendari edhe një skuadre tjetër. Drejtori Ekzekutiv ndër të tjera tha se prej 2016-ës, në Angli do të ketë ndeshje edhe të premteve mbrëma, duke ja bërë përfundimisht tejet të vështirë klubeve angleze që konkurrojnë në Champions League apo dhe në Europa League, pasi do të thotë se do të kenë dy ndeshje radhazi apo dy ndeshje me vetëm një ditë pushim.
Futbolli anglez vitet e fundit ka humbur pikë në koeficentin e UEFA-s, i cili përcakton edhe sesa skuadra shkojnë në ligat e evropës. Kështu Anglia tashmë renditet në vendin e tretë pas Gjermanisë në një kohë kur disa vite më parë klasifikohej si kampionati më i mirë në Evropë.