Favre kërkon të ‘zgjojë’ Dortmundin, ndaj Slavias kërkohet maksimumi

Sport

Lucien Favre (trajneri i Dortmund): “Slavia është një skuadër shumë e përgatitur nga ana atletike. Janë të fortë fizikisht dhe nuk i tremben dueleve trup më trup. Barazimi me Interin nuk ishte rastësi, prandaj duhet të tregojmë kujdes në analizimin e situatave gjatë lojës. Dortmundi mund të ishte në pozita më të mira nëse rastet kundër Barcelonës do të ishin shfrytëzuar si duhet. Nëse bëjmë të njëjtat gabime, atëherë shumë gjëra do të komplikohen për ne. Slavia është ato ekipe që di se si të përfitojë nga një moment jo i mirë i kundërshtarit, prandaj duhet të ruajmë vëmendjen gjatë gjithë lojës. Besoj se jemi përgatitur mirë, nga fizike dhe psikologjike. Të gjithë lojtarët që do të zbresin në fushë i kanë të qarta detyrat e tyre. Nëse do të luajmë lojën tonë, atëherë jam i sigurt se do të dalim nga kjo ndeshje me një fitore shumë të rëndësishme.”

Mats Hummels (mbrojtës i Dortmund): “Është e vërtetë që nuk kemi kaluar një moment shumë të mirë, por skuadra jonë frymëzohet pikërisht nga situata të tilla. Një sukses në këtë ndeshje ndaj Slavia Prahas do të thoshte shumë për ne. I kemi të gjitha aftësitë dhe mundësitë për të dominuar ndeshjen dhe për të arritur objektivin tonë, por duhet të jemi të kujdesshëm për të mos nënvlerësuar kundërshtarin. Një nga gabimet që na ka kushtuar më shumë së fundmi ka qenë mungesa e përqëndrimit në minutat e fundit. Nëse një gjë e tillë përsëritet, atëherë vërtet që do të kemi shumë probleme.”